BSH: Ndërtimi i mbytur me borxhe, 27 për qind e kompanive me kredi sa kapitali
Ngarkesa e bizneseve me kredi në raport me kapitalin është rritur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa sektori i ndërtimit vijon të ketë ekspozimin më të lartë ndaj borxhit.

Sipas Vrojtimit të Gjendjes Financiare dhe Huamarrjes së Ndërmarrjeve, të Bankës së Shqipërisë, raporti mesatar i huasë ndaj kapitalit ka arritur në 79%, duke u rritur me 1.4 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 2.8 pikë përqindjeje në terma vjetorë.
Rritja e këtij treguesi ka qenë më e theksuar te ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, duke sinjalizuar një zgjerim të detyrimeve të tyre financiare në raport me kapitalin.
Sipas vrojtimit, rreth 84% e ndërmarrjeve raportojnë se vlera e huasë është afërsisht sa gjysma e kapitalit të tyre, ndërsa 10% deklarojnë se detyrimet nga kreditë janë pothuajse të barabarta me kapitalin.
Nga ana tjetër, 6% e bizneseve kanë hua që tejkalojnë vlerën e kapitalit. Gjysma e tyre raportojnë kredi në nivelin 100-200% të kapitalit, ndërsa pjesa tjetër deklarojnë detyrime që tejkalojnë dyfishin e tij.
Ndërtimi, sektori me ngarkesën më të lartë të borxhit
Në analizën sipas sektorëve të ekonomisë, ndërtimi rezulton aktiviteti me ekspozimin më të lartë ndaj huamarrjes në raport me kapitalin.
Rreth 27% e ndërmarrjeve të ndërtimit deklarojnë se vlera e kredive është e barabartë ose më e lartë se kapitali i tyre.
Kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, por është rritur ndjeshëm nga niveli 18% i regjistruar në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Kjo do të thotë se, brenda një viti, pesha e kompanive të ndërtimit me detyrime të barabarta ose më të larta se kapitali është rritur me 9 pikë përqindjeje.
Pas ndërtimit renditet tregtia, ku 18% e ndërmarrjeve raportojnë kredi të barabarta ose më të larta se kapitali, e ndjekur nga shërbimet me 17% dhe industria me 8%.
Në sektorin e industrisë, ky tregues ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, duke rënë nga 21% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 në 8% në të njëjtën periudhë të vitit 2026.
Ndërkohë, sipas Bankës së Shqipërisë, raporti mesatar i huasë ndaj kapitalit për sektorët e analizuar ka arritur në rreth 80%, me rritje në të gjithë sektorët, përveç ndërtimit. Nivelin më të lartë të raportit mesatar e regjistron sektori i shërbimeve, me 88%.
Një në pesë biznese shpenzon mbi 20% të të ardhurave për kredinë
Pavarësisht rritjes së raportit të borxhit ndaj kapitalit, barra e pagesave të kredive në raport me të ardhurat ka shfaqur një përmirësim gjatë periudhës së vrojtuar.
Rreth 81% e ndërmarrjeve deklarojnë se shpenzimet për pagesën e huasë nuk tejkalojnë 20% të të ardhurave të tyre.
Kjo përqindje është rritur me 8 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 5 pikë përqindjeje në terma vjetorë.
Megjithatë, situata mbetet më e vështirë për ndërmarrjet e vogla, ku rreth 23% deklarojnë se pagesat e kredive u marrin më shumë se një të pestën e të ardhurave.
Kjo peshë është ulur me 2 pikë përqindjeje si në krahasim gjashtëmujor, ashtu edhe në atë vjetor, por bizneset e vogla vijojnë të kenë barrën më të lartë të shërbimit të borxhit.
69% e bizneseve me këste të rritura fajësojnë interesat
Rreth 83% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se pagesat e kredive kanë mbetur të pandryshuara gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Megjithatë, në grupin e bizneseve që kanë raportuar rritje të këstit, arsyeja kryesore lidhet me normat e interesit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, 69% e ndërmarrjeve që kanë përjetuar rritje të pagesave të huasë e lidhin këtë zhvillim me rritjen e normave të interesit.
Pjesa tjetër përmend rënien e të ardhurave nga aktiviteti ekonomik dhe shtimin e kërkesave nga huadhënësi.
Në terma vjetorë, presioni nga pagesat e kredive është rritur te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ndërsa ka shënuar rënie te bizneset e mëdha.
Bizneset përdorin rezervat për të paguar kreditë
Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si ndërmarrjet përballojnë kostot e huamarrjes.
Sipas vrojtimit, në 67% të rasteve bizneset deklarojnë se kanë përdorur rezerva të ndryshme për të përballuar pagesat e kredive.
Në 27% të rasteve ndërmarrjet kanë ulur shpenzimet, një strategji e përdorur më shumë nga bizneset e mëdha.
Ndërkohë, në 9% të rasteve është raportuar rritje e çmimeve të produkteve për të përballuar kostot e huasë, një alternativë e përdorur kryesisht nga ndërmarrjet e vogla.
Kjo tregon se një pjesë e bizneseve po e përballojnë koston e financimit jo vetëm përmes burimeve të tyre financiare, por edhe duke kufizuar shpenzimet ose duke transferuar një pjesë të kostove te çmimet e produkteve.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, indeksi i përgjithshëm i ngarkesës me borxh ka rezultuar në nivelin 0.55, pothuajse i pandryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe në rënie në terma vjetorë.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë një indeks prej 0.56, ndërsa bizneset e mëdha 0.54, duke konfirmuar një barrë relativisht më të lartë të borxhit te sipërmarrjet me përmasa më të vogla.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)